Princi i Kurorës, Leka II

Lartësia e Tij Mbretërore Princi i Kurorës, Leka, Anwar, Zog, Reza, Baudoin, Msiziwe, i Shqiptarëve. Leka II Zogu

Princi i Kurorës Leka II, lindi të premten e 26 marsit 1982, në Johanesburg të Afrikës së Jugut. Si shenjë e vullnetit të mirë, klinika “Sandton” u shpall territor shqiptar për 24 orë nga qeveria e Afrikës së Jugut.

Princ Leka mori emrat e tij në lindje në nder të Presidentit egjiptian Anwar El Sadat, Mbretit Zog, Perandorit Mohammed Reza të Iranit dhe Mbreti të belgëve Baudouin I. Msiziwe është një emërtim honorifik zulu, i vendosur nga Mbreti Goodwill Zwelithinika Bhekuzulu.

Princi i Kurorës Leka II, u rrit në Afrikën e Jugut me prindërit dhe gjyshen e tij Mbretëreshën Geraldine. Ai u rrit me dashuri dhe njohuri të thella për Shqipërinë, popullin dhe kulturën shqiptare.

Princi Leka zhvilloi arsimin parashkollor në kolegjin “St. Stithians”. Më pas arsimin fillor e vazhdoi në shkollën “St. Peters”, ndërsa arsimin e mesëm si student themelues në kolegjin “St. Peters”. Në vitin 2005, Princi Leka hyri në akademinë ushtarake “Royal Military Academy Sandhurst” në Britaninë e Madhe. Aty mori rangun nën Toger në ushtrinë britanike dhe u vlerësua me medaljen “King Hussein”.

Lartësia e Tij më pas vazhdoi studimet baçelor në universitetin “Iliria”, në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Më pas studioi për disa muaj në “Università per Stranieri di Perugia”, si edhe zhvilloi shumë kurse të nivelit të lartë në Akademinë e Mbrojtjes.

Princ Leka punoi si këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitet 2006-2009, si këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet 2009-2012 dhe si këshilltar politik i Presidentit të Shqipërisë në vitet 2012-2013.

LTM Princ Leka II është kreu i Familjes Mbretërore të Shqipërisë. Në përputhje me Kushtetutën Mbretërore, në vitin 2000 kur arriti moshën 18-vjeçare, ai u shpall trashëgimtar i kurorës nga Mbreti Leka I.

Princi Leka flet shqip dhe anglisht. Ai jeton në Rezidencën Mbretërore në Tiranë. Princi Leka u njoh me znj. EliaZaharia në vitin 2008. Ata u fejuan në Paris në vitin 2010 dhe u martuan në Tiranë, në Pallatin Mbretëror, më 8 tetor 2016.

  • Lartësia e Tij është “Mjeshtër i madh” i urdhrave mbretërorë “Besa” dhe “Skënderbej” (2011- prezent).
  • “Kalorës i Kryqit të Madh” i Urdhrit “Santi Maurizio de Lazzaro" (2012).
  • “Kalorës i Kryqit të Madh” i Urdhrit “Francesko I” (2016).


  • “Çelësi i Qytetit” të Nju Orleansit iu dha nga kryebashkiaku Mitchell J. Landrieu (2011)
  • “Qytetar nderi” i qytetit të Burrelit (2012)
  • “Qytetar Nderi” i komunës së Bërdicës (2012)
  • “Anëtar nderi” i bordit të Universitetit Mbretëror “Iliria”, Prishtinë (2012)
  • “Kryebashkiak nderi” i qytetit Baton Rouge dhe “President nderi” i Kishës së Baton Rouge Lindor, SHBA (2011).
  • President i Federatës Shqiptare të Golfit (2011-2016).
  • “Anëtar nderi” i Komitetit Olimpik Shqiptar (2011-prezent).
  • “Proklamacion” nga Senati i Nju-Jorkut dhe Asambleja e shtetit të Nju-Jorkut (2017).
  • “Anëtar nderi” i “New Born Rotary Club Prishtina” (2019).
  • “President nderi” i Shoqatës së Miqësisë Arabo-Ballkanike (2020).


Është e vështirë të përshkruash një jetë në mërgim, një jetë që i përkushtohet një misioni të vetëm: kthimit në shtëpi për t’i shërbyer një kombi që nuk e ke parë asnjëherë. Lidhja që kisha me kombin shqiptar kur isha fëmijë, ishte nëpërmjet këndvështrimit romantik të prindërve të mi, historive që më tregonte gjyshja ime, përshtypjeve të diasporës apo kujtimeve të malësorëve të vjetër shqiptarë. Ndoshta kjo është mënyra më e mirë për mua, që të përshkruaj edukimin tim si një fëmijë që jetonte në Afrikën e Jugut. Këto kujtime të fëmijërisë janë kaq thellë të ngulitura në personalitetin tim, saqë nuk kam ndonjë vend tjetër që mund ta quaj shtëpi.

Dashuria ime për Shqipërinë nuk buron nga realiteti i rrethanave aktuale, por është thellësisht e bazuar mbi shpresën e asaj që mund të jetë Shqipëria në të ardhmen.

Pikërisht për këtë arsye jam shumë krenar për aktivitetet tona në vend. Me krijimin e Fondacionit “Mbretëresha Geraldinë”, nën udhëheqjen e Elias, kemi qenë në gjendje të arrijmë jashtëzakonisht shumë në kaq pak kohë. Puna nëpërmjet fondacionit na mundëson që të japim kontributin tonë simbolik për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Po aq të rëndësishme sa kontributet simbolike, janë edhe lidhjet njerëzore që po krijojmë brenda shoqërisë. Rivendosja e lidhjeve të vjetra me familjet zogiste ka një rëndësi të veçantë për mua. Ne jo vetëm po ndjekim hapat e gjyshit tim, Mbretit Zog, por gjithashtu po kultivojmë miqësi që shtrihen ndër breza. Në vetvete Mbretëria Shqiptare ekzistoi për një periudhë të shkurtër kohore, por parimet e saj u rezistuan 50 viteve të ashpra të diktaturës komuniste. Mbretëria shqiptare është një pjesë integrale e kombit shqiptar.

Kanë kaluar shumë vite nga momenti historik kur Familja Mbretërore arriti më në fund të kthehet në atdhe në vitin 2002. Ky kthim i aq shumë pritur u mundësua nga ftesa zyrtare e Parlamentit të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve në Shqipëri, gjyshja, nëna dhe babai im kanë ndërruar jetë. Sot ështe përgjegjësia ime të mbaj gjallë trashëgiminë e familjes.

Ndërsa shohim drejt së ardhmes, mbetemi plot besim. Brenda nesh ka shumë energji, ka një pasion të jashtëzakonshëm për të kontribuar dhe shpirtrat tanë janë të mbushur plot forcë dhe besim për të ardhmen e vendit që adhurojmë.

E ardhmja i takon brezit të ri për ta ndërtuar! Ndërsa shtrojmë rrugën përpara dhe i qëndrojmë misionit për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë, përpiqemi të ndihmojmë që ky vend të bëhet atdheu që njerëzit meritojnë. Do të duhet kohë dhe durim që Mbretëria të gjejë ekuilibrin e duhur dhe të shndërrohet në një pikë referimi, e cila të mund të frymëzojë besim në kaosin ku ndodhet Shqipëria moderne. Kjo është ajo për të cilën kam lindur, për të cilën jetoj dhe është krenaria e përgjegjësia ime t’i shërbej.

40 Datat historike të familjes Mbretërore dhe Mbretit Zog

Preloader