Princeshat shqiptare

Gjashtë motrat e Mbretit Zog, Princeshë Adile, Princeshë Nafije, Princeshë Senije, Princeshë Myzejen, Princeshë Ruhije dhe Princeshë Maxhide, kanë luajtur një rol mjaft aktiv gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare.

Falë vizionit të qartë perëndimor të vëllait të tyre, ato u bënë ambasadore të kulturës europiane në një vend ku sapo kishte filluar bashkëjetesa mes orientit dhe oksidentit.

Secila prej tyre mori nën patronazh nga një seksion të organizimit të shoqerisë.
Kështu psh, Princeshë Senije u vu në krye të Kryqit të Kuq Shqiptar, Princeshë Ruhije u angazhua në art dhe artizanat, Princeshë Myzejen në sporte, ndërsa Princeshë Maxhide në turizëm.

Ndaj tyre shtypi ndërkombëtar shfaqi interes të veçantë, sidomos gjatë vizitës në SHBA më 1938, ku Princeshat u pritën nga rangjet më të larta të politikës dhe shoqërisë. Gjatë kësaj vizite, Zonja e Parë Roosevelt i ftoi për çaj në shtëpinë e bardhë. Ato morën pjesë në një meshë të mbajtur nga imzot Noli si një mesazh pajtimi pas një dimri të gjatë me Mbretin Zog. Shtypi ndërkombëtar i kohës pasqyroi detajet e këtij udhëtimi, ku një rëndësi të veçantë i jepej elegancës, zgjuarsisë dhe klasit të tyre. Kjo padyshim ishte një reklamë mjaft pozitive për një Shqipëri shumë pak të njohur asokohe. Një pasion i princeshave ishte edhe moda e lartë pariziane, ndaj udhëtimet e tyre në shtëpitë e modës pasqyroheshin shpesh herë edhe në shtypin ndërkombëtar.

Një nga detyrat e tyre si përfaqësuese të Mbretit Zog, ishin udhëtimet në çdo qytet, fshat e malësi. Gjatë këtyre udhëtimeve në vend, ato njiheshin nga afër me banorët, problematikat dhe nevojat e zonave.

1893-1966) u martua me Emin Bej Agolli-Doshishti dhe patën tre djem ( Salih, Hysein, Sherafedin) dhe dy vajza (Teri, Danush). E martuar në këtë derë të madhe dibrane, në periudhën e mbretërisë Princeshë Adile ishte pjesëtarja më pak e angazhuar në veprimtaritë shtetërore. Gjatë viteve të mërgatës, ajo iu përkushtua familjes dhe të gjithë bashkë jetuan në Angli. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Paris pranë djalit të saj të pamartuar, Salih.

Princeshë Nafije (1896-1955) u martua me Ceno Bej Kryeziun nga Kosova. Ata patën një djalë, Esad Murad Kryeziu ose siç njihet ndryshe, Princ Tati (1923-1993).

Ceno Bej u vra më 1927 në Pragë ku kryente shërbimin si ambasador. Djali i tyre mori titullin Princi i Kosovës. Gjatë viteve të mbretërisë, Princ Tati pati një sërë angazhimesh zyrtare, sidomos në fushën e sportit. Mbante gradën Kolonel nderi në Gardën Mbretërore. Ai ishte shpallur edhe trashëgimtar i fronit mbretëror deri në lindjen e djalit të Mbretit Zog. Princeshë Nafije së bashku me të birin jetuan në Pallatin Mbretëror pranë Mbretit Zog. Edhe gjatë viteve të mërgatës, ata nuk u ndanë nga Familja Mbretërore. Princesha ndërroi jetë në Kairo.

Princeshë Senija (1903-1969) nga të gjitha motrat e Mbretit Zog, ishte ajo me më shumë ndikim. Pas vdekjes së Nënës Mbretëreshë Sadije Zogu, ajo u bë këshillëtarja më e besuar e Mbretit.

Në 30 dhjetor të vitit 1921, me propozimin e Ministrisë së Punëve të brendshme me titullar Ahmet Zogun, vendoset themelimi i Kryqit të Kuq Shqiptar. Pas miratimit të statutit ( prill 1922), ky institucion njihet si pjesëtar i komunitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të Gjenevës (1923). Gjatë viteve të mbretërisë, veprimtaria e Kryqit të Kuq kaloi nën patronazhin e Princeshës Senije, e cila mori kryesinë e tij. Ndër shumë veprimtari të Kryqit të Kuq në atë periudhë, mund të përmendim kujdesin e treguar ndaj të varfërve, jetimoreve, të sëmurëve etj. U hapën dispenseri ku drejtoheshin mijëra qytetarë për të marrë shërbime shëndetësore. Gjithashtu Kryqi i Kuq vuri në dispozicion të shtesave në nevojë edhe klinika dentare. Autoambulanca shkonte në të gjitha rrethet për të kryer vizita të popullatës dhe për të mjekuar sëmundjet shqetësuese si malarja etj. Kryqi i Kuq hapi shkollën e infermierëve shëtitës e cila drejtohej nga një ekip austriak. Në amjentet e Kryqit të Kuq funksiononin menza të posaçme ku shpërndahej çdo ditë ushqim për të vobektët. Në strehën vorfnore kujdeseshin për qindra jetimë, duke i ushqyer, arsimuar, mjekuar dhe ndihmuar në përgatitjen për jetën. Ata merrnin zanate duke ndjekur kurse dhe shkollime specifike.

Më 1936 Princeshë Senija u martua me Princ Mehmet Abid të Turqisë, djalin e Sulltan Abdulhamid II. Për fat të keq kjo martesë nuk rezultoi e lumtur, ndaj çifti u divorcua. Ata nuk patën fëmijë. Princesha qëndroi pranë vellait dhe motrave pjesën tjetër të jetës. Tetë vitet e fundit i kaloi në Kanë, ku edhe ndërroi jetë vetëm një javë pas humbjes së motrës së saj, Princeshës Myzejen.

Princeshë Myzejen (1905-1969) gjatë viteve të mbretërisë iu përkushtua aktiviteteve sportive në vend, duke u bëre patrone e sportit. Në vitin 1931 u formua me dekret shtetëror, si organ i Entit Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, Federata Sportive. Deri atëherë, çdo aktivitet sportiv zhvillohej në mënyre spontane dhe të paorganizuar. Federata nisi të zhvillojë një fushatë të gjërë sportive, duke organizuar Kampjonate Kombëtare të athletikës, futbollit, notit, çiklizmit, boksit, hipizmit etj. Në vitin 1932 Federata Sportive Shqiptare u regjistrua si anëtare e F.I.F.A-s. Duke filluar nga viti 1933, Shqipëria përfaqësohej me një grup atletësh në Olimpiadën Ballkanike. Princeshë Myzejen nuk u martua kurrë. Ajo jetoi gjithë jetën pranë Familjes Mbretërore. Tetë vitet e fundit i kaloi në Kanë, në vilën ku jetonte së bashku me dy motrat e saj, Senije dhe Maxhide.

Princeshë Ruhija (1906 -1948) mori nën patronazh artin dhe artizanatin. Në këto fusha, gjithshka duhej filluar nga zanafilla, pasi përgjatë shekujve në robëri, çdo iniciativë dhe shprehje artistike, mbetej krejtësisht e pavlerësuar. Folklori i pasur i popullit shqiptar, arkitektura dhe gjurmët e lashta të artit, duhet të rizgjoheshin dhe të nxirreshin nga apatia shekullore. Në vitet e mbretërisë fillon një periudhë krijuese në fushën e literaturës. Marrin hov në këto vite vjershat dhe proza patriotike. Në fushën e muzikës, nga krijimtaritë individuale brenda mureve të shtëpisë, lindën sopranot, tenorët, baritonët e parë, dhe teatrot fillojnë të marrin një zhvillim dhe manifestim publik. Skulptura dhe piktura marrin zhvillim dhe në këto vite organizohen ekspozitat e para. Një nga ekspozitat e bujshme të kësaj ringjalljeje artistike, përmendet ajo e 24 Majit 1931 prej Miqve të Artit në Tiranë. Regjimi i Mbretit Zog i dha rëndësi të posaçme zhvillimit të artit shqiptar. Gjithashtu u investua në dy shkolla në qendër të Tiranës, ajo e Vizatimit dhe ajo e Institutit Teknik. Në ekspozitën e Parisit, piktura shqiptare u përfaqësua me 12 vepra prej nxënësve të shkollës së vizatimit, ku subjekt kishin kostumet dhe interieret tona. Princeshë Ruhija përgjatë gjithë kësaj periudhe luajti një rol thelbësor në dinamikën e zhvillimeve artistike, duke u bëre mbështetëse dhe kujdestare e këtyre nismave. Ajo gjithashtu nuk u martua kurrë. Gjatë viteve të ekzilit qëndroi pranë të vëllait dhe motrave. Ndërroi jetë në Kairo pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë. Falë respektit dhe dashamirësisë së Mbretit Faruk, Princesha e artit pati një ceremoni mortore zyrtare.

Princeshë Maxhide (1907-1969) në vitet e mbretërisë u bë patrone e Turizmit.

Fillimi i lëvizjeve turistike duke nisur nga vitet e para të mbretërisë, ishte një nga prioritetet kryesore, pasi deri atëherë vendi yne konsiderohej një vend kryengritjesh, ku as jeta dhe as prona private nuk kishin as më të voglën siguri. Kjo lëvizje erdhi duke u rritur gradualisht dhe duke marrë një vlerë të rëndësishme. Qeveria krijoi një zyre para shtetërore e cila kishte për detyre përmirësimin e seksionit turistik, si edhe propagandën dhe reklamimin e potencialit turistik të vendit.

Turizmi i huaj përfaqësonte mjetin më të rëndësishëm për importimin e një kapitali të huaj në vend i cili sillte një kontribut indirekt në perfeksionimin e shërbimeve turistike.

Në vitin 1933 u krijua Klubi Turistik dhe Automobilistik Mbretnuer. Mbreti Zog i akordoi këtij Klubi titullin mbretëror dhe veprimtaria e tij u zhvillua nën patronazhin e Princeshë Maxhides.

Në vitin 1936 krijohet Enti Kombëtar i Turizmit, nën patronazhin e Princeshë Maxhides dhe nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brëndshme.

Themelimi i një statistike i cili tregonte numrin e vizitorëve, vendin e përqëndrimit të tyre, kufirin nga hynin më së shumti, ishin elementët kryesorë për të zhvilluar një aktivitet racional të frytshëm dhe efikas.



 

40 Historical dates of the Royal family and King Zog

loading