Kontakti im i parë me MS Susan - Mbretëreshën e Shqiptarëve, ishte në lidhje me hapjen e një ekzpozite të artit për shoqatat e Kryqit të Kuq dhe Gjysëm Hënës së Kuqe, mbështetëse e të cilave ajo ishte për gjatë gjithë jetës së Saj. .
Por, ndërkohë që po merrja pozicionin për të bërë një përkulje në shenjë nderimi, ajo më mori për dore dhe më tha: “Ju lutem qetësohuni dhe më flisni thjesht - Susan”.
MS Susan ishte një natyrë njerëzore me shumë ngrohtësi, paqe e harmoni të plotë për këtë botë dhe njerëzit e kësaj bote. Ajo nuk kishte nevojë për asnjë kërkesë zyrtare apo fjalë të bukura që ta bindnin për të marrë pjesë në “projektet” për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve, pasi Ajo shprehte thelbin e përkushtimit njerëzor.
Pasdite Madhëria e Tij Mbreti Leka u bashkua me ne në takimin tonë. Jo vetëm që ky burrë ishte si një kështjellë para meje, por prania e tij ishte shumë e magjishme dhe e fuqishme, duke më bërë mua të ndihem gati i parëndësishëm! Vetëm pak minuta më pas e gjeta veten shumë lirshëm edhe me të. Përpara se ta kuptoja çfarë po bëja, unë po i tregoja të gjithë historinë e jetës sime.
Pak më vonë, një djalë i vogël, i cili ishte më i ri sesa e tregonte gjatësia e tij, u bashkua me ne. Mua m’u prezantua ky djalë 4 - vjeçar si Princi Trashëgimtar Leka. Ai, shumë zyrtarisht, zgjati dorën dhe më tha: “Jam i nderuar t’ju takoj Ju”. Në këtë çast e ndjeva veten shumë të vlefshëm dhe shumë të mirëpritur.
Mbretëresha Susan bëri një punë të shkëlqyer në hapjen e asaj ekspozite. Çdo person i rëndësishëm dhe i famshëm u ftua dhe, çuditërisht, të gjithë erdhën për këtë rast, pasi ishte shfaqja e parë dhe e vetme zyrtare publike e Mbretëreshës Susan gjatë gjithë kohës së qëndrimit të Saj në Afrikën e Jugut.
Mbretëresha e veshur me shumë stil, e stolisur me shumë elegancë, ecte duke vështruar me shumë sinqeritet çdo njërin nga njerëzit që i paraqiteshin asaj. Kur erdhi çasti për të mbajtur fjalën, ajo, mbretërisht, eci drejt mikrofonit, vendosi syzet për të lexuar dhe pa vështruar letrën që kishte në duar, pa asnjë gabim, iu drejtua secilit nga personalitete e shumta pjesëmarrëse me titull dhe me emër. Më pas vështroi fletën dhe filloi: “ Burri im dhe Unë…” (Mbretëresha e Britanisë së Madhe I fillon gjithmonë fjalimet me shprehjen:“Burri im dhe Unë!”) Në këtë pikë ajo pushoi, vështroi audiencën e heshtur përpara saj dhe më pas vazhdoi: “Tani zonja dhe zotërinj, nëse prisnit këtë, këtë meritoni”.
Pesëqint të ftuarit shpërthyen në të qeshura spontane dhe e duartrokitën atë përzemërsisht. Ajo hyri në zemrat e të gjithëve që me fjalët e para, duke e ditur se i kishte të gjithë të ftuarit në pëllëmbë të dorës… Më pas ajo me shumë përkushtim vazhdoi të tregonte arsyet e gjendjes së rëndë të të varfërve. Herë pas here gjatë fjalimit të saj brilant, ajo hidhte vështrimin në letrën e saj.
Në më pak se një orë pas kumtit të hapjes, të gjitha veprat e artit u shitën dhe ne fituam një shumë të paparë parash për Kryqin e Kuq. Para largimit unë e falenderova atë për ndihmesën e saj mahnitëse dhe i kërkova një kopje të fjalimit. Ajo më dha një buzëqeshje të shkëlqyer, që në shoqërinë tone të gjatë do të bëhej e zakonshme dhe më dha një bllok shënimesh. Pasi u largua unë e hapa tufën e bllokut: të gjitha fletët ishin të bardha.
Vetëm dy vite më parë, në vitin 2002, kur unë intervistova Nënën Mbretëreshë Geraldine, e kuptova se si Mbretëresha Susan kishte arritur të përcillte atë fjalim të pashkruar me aq madhështi dhe me aq shumë përkushtim. Nëna Mbretëreshë këmbënguli se dëshironte të fliste për Susanën. Më mori premtimin se unë do të përfshija mendimet e saj për nusen, në artikullin që do të botoja për revistën “Style”.
Kaloi më shumë se një orë gjatë së cilës NSM Geraldine ndau me mua mirënjohjen e saj më të lartë për kurajon e MS Susan gjatë gjithë viteve të varfërisë dhe vuajtjeve në mërgimin e detyruar. Ajo më tregoi për shoqërinë e tyre dhe lidhjet e ndjenjave, të cilat mund të jetonin vetëm mes dy grave të cilat kanë ndarë pikëllime të pabesueshme dhe shumë mjerim për dashurinë për burrat që kishin zgjedhur dhe për fatin e tyre.
Ajo lavdëronte MS Susan për përkushtimin e saj të plotë për Shqipërinë, një vend në të cilin ajo kurrë nuk kishte vendosur këmbën e saj. Por për MS Susan ai ishte Atdheu, të cilin duhej ta ndihmonte në çdo mënyrë të mundshme për të lehtësuar vuajtjen e popullit të tij, pjesën më të madhe të së cilit ajo nuk e kishte takuar kurrë. Nëna Mbretëreshë përfundoi: “Është Susana dhe jo unë ajo që ka pasur jetën më të vështirë. Por ajo është një grua e fortë me shumë karakter dhe vuajtjet që kaloi që nga vitet 70-të, i dhanë asaj aftësinë ripërtëritëse dhe ndenjën e dhemshurisë. Ata që vuajnë shumë vetë, janë ata që kujdesen më së shumti për të tjerët.”
NSM Geraldine vazhdoi:” Kur erdhën për herë të parë në Afrikë, kishte shumë mjerim. Atje ku u vendosën ata ishin shumë larg nga çdo gjë dhe nga çdo njeri dhe nisur nga kjo, Mbreti Leka filloi udhëtimet e tij, duke takuar shumë komunitete emigrantësh shqiptarë në mbarë botën dhe duke u kujdesur për fatin e atyre që kishin rënë në darën e regjimit komunist. Mbretëreshës Susan i ishin ngarkuar të gjitha kujdeset për shtëpinë, financat e me një mori faturash për t’u paguar. Për gjithë këto vite Susana duhej që të mbaronte këto detyrime me një Mercedes të vjetër që ndonjëherë edhe nuk ndizej!” Mbretëresha Geraldine në këtë pikë ngriti duart nga qielli në shenjë dëshpërimi.
Dhe me të vërtetë Mbretëresha Susan ka kaluar e vetme të gjitha detyrimet për gjatë të gjithë qëndrimit në Afrikë. Dy vite pas vendosjes së tyre në Johanesburg lindi Princi Trashëgimtar Leka. Për të dhe djalin e saj nuk ishte vetëm luksi mbretëror, por të ardhurat në përdorim ishin për të gjitha problemet, deri tek Shqipëria, Atdheu i vërtetë për të.
Gjatë 25 viteve të qëndrimit të saj në Afrikën e Jugut, pothuajse në izolim të plotë, në një periferi të Johanesburgut, ajo njohu disa miq të mirë, njerëz tek të cilët mund të besonte dhe me të cilët ndihej mirë. Me raste ajo organizonte festa ku i mblidhte të gjithë miqtë e saj. Gjithashtu ishin ekspozitat në Galerinë e Arteve të Johanesburgut, më së shumti kur Mbretëresha Geraldine u vendos përfundimisht të jetonte në Johanesburg. MS Susan në raste të veçanta shkonte në një koncert, balet apo opera. Pjesën tjetër të jetës ajo ia përkushtoi veprës në mbështetje të shumë projekteve ndërkombëtare me synimin për të lehtësuar vuajtjet e popullit Shqiptar.
Kur në një ditë tetori në Biarritz në vitin 1975, ajo u lidh në martesë me Mbretin e saj, ishte plotësisht e bindur t’i shërbente jo vetëm atij, por mbi të gjitha vendit dhe popullit të tij gjatë gjithë jetës. Ajo me të vërtetë, gjatë gjithë jetës së saj martesore, nuk ishte vetëm bashkëshorte e Mbretit Leka, por njëkohësisht gjatë të gjithë kohës ajo ishte Susana, Mbretëresha e Shqiptarëve. Dhe si Mbretëreshë, ajo i ka shërbyer mirë vendit të saj duke i dhënë një Mbret dhe popullit të tij një Trashëgimtar, të cilin ajo e rriti dhe e edukoi jo vetëm si një burrë e një mbret, por gjithashtu si një krijesë njerëzore nga më të mirat dhe me zemrën më të mirë, që unë kam pasur privilegjin të njoh. Kjo, në fund, sipas mendimit tim, ishte dhurata e saj për Mbretin dhe për Popullin Shqiptar.
Kam folur me Susanën çdo javë që nga koha kur familja u rikthye në Shqipëri. Ajo gjithnjë ishte shumë e entuziazmuar për vendin e saj dhe për popullin e saj. Për gjërat që ajo planifikonte në këtë botë: një vend të mirë për të gjithë. Në një nga bisedat tona, ajo më tregoi mua se për herë të parë kishte arritur të kuptonte se çfarë ishte kuptimi i asaj që kishte thënë Mbretëresha Geraldine në intervistën saj të fundit me mua kur tha: “ Kjo botë po bëhet shumë e vogël dhe ka shumë njerëz. Dhe të gjithë janë qënie njerëzore e kanë një shpirt. Shumë shpesh ne e harrojmë këtë fakt. Çfarë bote!”
Në fillim të këtij viti ajo më tregoi për sëmundjen e saj shumë serioze. Në bisedat tona të shumta gjatë kësaj kohe ne flisnim për shqetësimin e trajtimeve, por ajo gjithnjë ishte me shumë kurajo dhe kurrë nuk e përmendte mundësine e vdekjes. Ajo gëzonte plotësisht kënaqësitë e jetës dhe më siguronte se çdo ditë e po ndihej edhe më mirë. Ajo gjithashtu m’u betua solemnisht se flokët do t’i rriteshin sërisht deri kur unë të shkoja në shtator për ta takuar, sipas planit që kisha.
Për herë të fundit unë fola me të të enjten kur ajo më telefonoi për të më uruar sukses për një operacion që do të kisha të premten në mëngjes. Të shumtën e bisedës tonë telefonike u përqëndruam rreth pregatitjeve të vizitës sime të afërt në Tiranë. Para se të përfundonim bisedën tonë, ajo më kërkoi që t’i premtoja se sapo të dilja nga narkoza do të dërgoja një mesazh. Ajo më tha gjithashtu se do të më telefononte të shtunën në mbrëmje kur unë do të dilja nga spitali kështu që do të bënim prëgatitjet përfundimtare për udhëtimet e mia.
Të premten sapo më erdhi vetëdija unë i dërgova asaj këtë mesazh: “Madhëria juaj, pacienti u zgjua, pacienti është me shumë jetë, pacienti është shumë i vështirë. Ju lutem merreni menjëherë për në Shqipëri.” Ajo iu përgjigj këtij mesazhi me mençurinë e saj të zakonshme: “Më vjen shumë mirë për ju. Aeroplani që do të vinte për t’ju marrë është në bazë”
Të shtunën në mbrëmje telefoni im cellular ishte në pritje të pazakonte për gjatë orës në të cilën prisja telefonatën e saj. Kurrë nuk do ta harroj momentin kur filloi të binte dhe unë u përgjigja menjëherë. Gjithmonë, që prej ditës së parë që e kam takuar “Ariun e vogël”, ai kurrë nuk më prezantohej si “ Princ” –sigurisht në asnjë prej bisedave tona private. Unë e njoha menjëherë zërin e tij, por gjithashtu ndjeva një zë të çuditshëm që dridhej. Kur unë u përgjigja ai më pyeti: “Jeni Michael de Kock?”: “ Po” – i thashë unë dhe menjëherë kuptova se kishte ndodhur diçka shumë e rëndë. Ai me gjysmë zëri vazhdoi: “Ju flet Princi Trashëgimtar Leka i Shqiptarëve. Babai im Mbreti, më kërkoi që t’ju telefonoja për t’ju dhënë një lajm shumë të keq.”
Susan - Mbretëresha e Shqiptarëve ndërroi jetë pa pritur. Susan, mikja ime kishte ndërruar jetë.
Unë u trondita pa masë. Natën që ata u nisën nga Johanesburgu për në Shqipëri, në Qershor 2002, unë e dija shumë mirë se nuk do të mund të takoja më Nënën Mbretëreshë Geraldine. Ajo ishte e dobët dhe e sëmurë. Gjithashtu edhe motra e saj ishte sëmurë. Por kurrë nuk mund ta dija se do të ishte hera e fundit që do të përqafoja miken time të dashur Mbretëreshën Susanë.
Ajo ishte një nga mikeshat e mia më të besueshme që kam njohur ndonjëherë. Gjithashtu ajo ishte shumë mike e prindërve të mi të ndjerë dhe e të gjithë miqve të tjerë që kishte takuar ndër vite. Një nga miqtë e saj të ngushtë është edhe artisti nga Afrika e Jugut Hannatjie van der Uat, me të cilin gjatë gjithë kohës diskutonin për të gjitha problemet. Babai im, mbesa ime Nicolette dhe Danielle, si edhe të gjithë miqtë e mi që e kanë takuar dhe e kanë dashur atë, u bashkuan me mua në këtë ditë të trishtueshme.
Piktori Kanadez Leif Ostlund, i cili më bëri një vizitë disa vite më parë dhe me të cilin pata privilegjin të kalonim një mbrëmje me Familjen Mbretërore, dje pasi mësoi për lajmin e vdekjes së Madhërisë së Saj më shkroi mesazhin në vazhdim:
“Që nga çasti që mësova atë lajm të hidhur këtë mëngjes, vetëm kam shkruar. Pas pesë orësh kam pasur një deng me fjalë dhe me ide, asnjëra prej të cilave nuk mund të përshkruante bukurinë dhe dinjitetin e kësaj Zonje. Prezantimi që më bëre me Mbretëreshën Susan në atë kohë mbeti një impression i cili më ka ndihmuar që të kuptoj dhe të formoj karakterin tim në mënyrën më pozitive. Inteligjencën dhe vështrimin e saj të mprehtë nuk mund ta harroj kurrë. Këmbët e mia nuk shkelnin tokën kur ajo me aq shumë mirësjellje po më shoqëronte për në dhomën e ndenjes, madje edhe tani unë ndjej buzëqeshjet dhe dëgjoj të qeshurat e saj të lira. Ajo natë është një thesar për mua.”...
Edhe diçka tjetër do të doja të shtoja në këtë moment trishtimi: Kujtoj sesi Susana, e shoqëruar edhe nga Mbreti, nuk mungonte asnjëherë në asnjë prej ngjarjeve të rëndësishme të jetës sime. Ajo ishte gjithmonë e pranishme në ditëlindjet e mia, në fjalimet e mia publike, në humbjen e njerëzve të mi të dashur, në vizitat kur unë isha i sëmurë: Mikja ime kurrë nuk mungonte të më mbështeste dhe të më ngushëllonte.
Në një mbrëmje vite më parë, kur ajo erdhi në llozhën e Teatrit Publik të Johanesburgut për të dëgjuar një nga prezantimet e mia, dirigjenti i orkestrës së Johanesburgut Joan Brickhill, u prezantua tek Mbretëresha. Ylli i famshëm u përkul dhe i tha Mbretëreshës: “ Kam dëgjuar kaq shumë për ju saqë ndjej se ju kam njohur gjithnjë, dhe nuk jam i sigurt si mund t’ju drejtohem”.
Mbretëresha Susan e mori në dorën e saj dhe i tha “Unë kam qenë një fanse e zjarrtë e juaja për shumë vite dhe jam admiruese e juaja. Ju mund të më quani Susan dhe unë do t’ju quaj Madhëria Juaj.” Kjo ishte Susana që unë kam njohur.
Një mbretëreshë e vërtetë, por thellë në shpirtin e saj ajo ishte një qënie njerëzore, një person që respektonte të tjerët dhe u jepte atyre atë që meritonin. Dhurata e saj më e madhe ishte se mund të bënte të ndihej komod edhe njeriun më të parëndësishëm. Ajo dinte të nxirrte në pah aristokracinë e brendëshme tek çdo njeri që takonte.
Madhëria e Saj Mbretëresha Susan e Shqiptarëve ka vdekur, por mikja ime dhe shoqja ime e ngushtë do të jetojë gjithnjë në zemrën time. Përkrah ngrohtësisë dhe miqësisë së saj besnike, ajo la trashëgim tek unë Mbretin e saj dhe Princin e saj. I gjithë sinqeriteti, kujdesi, mirëkuptimi dhe besnikëria që ajo shfaqi ndaj meje për gjithë këto vite, më shkul nga zemra zotimin për besnikërinë time të përjetshme ndaj dy miqve të mbetur të kësaj familje të jashtëzakonshme, Madhërisë së Tij Mbretit Leka I dhe Lartësisë së Tij, Lekës II, Princit të Kurorës së Shqiptarëve.
Johannesburg, 20 korrik 2004 23:00