Koleksion mbretëror

Koleksioni mbretëror i armëve

u krijua nga Madhëria e Tij, Mbreti Leka I. Ai është një dëshmi e lëvizjeve të Familjes Mbretërore gjatë 60 viteve në mërgim. Mbreti Leka kishte një pasion të veçantë ndaj armëve. Ai krijoi një koleksion të pasur të armëve antike dhe moderne.

Në koleksion përfshihen një çift shpatash luftarake nga Tajlanda, pistoleta personale e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Geraldine, e gdhendur në metal dhe dru me elementë të larë në flori, një varietet armësh mesjetare nga Azia, Afrika dhe Europa, si edhe pushkë moderne.

Ky koleksion është në përputhje të ligjeve dhe rregulloreve të shtetit shqiptar dhe të statusit mbretëror të dekretuar në vitin 2003. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.211, datë 21/2/2008 dhe i rregulluar nga urdhri nr. 672, 23/04/2008.
arms1
arms2
 
Koleksioni mbretëror Adamidi Frashëri

Koleksioni mbretëror Adamidi Frashëri është krijuar gjatë një qindvjeçari, midis 1880 dhe 1970. Si fillim, Dr Gaqi ose Gjergj Adamidi bej Frashëri (1856-1939), patriot dhe diplomat shqiptar me banim në Egjipt dhe Zvicër, mblodhi objekte të trashëguara nga familja e tij dhe e së shoqes, Helena Marko Frashëri, si kostume të vjetra popullore, ikona dhe armë shqiptare të shekullit XVIII. Anëtar i Institutit egjiptian të Kajros, ai bleu dhe ruajti në fondin e tij edhe statueta të vjetra sumeriane, egjiptiane dhe greke.

Si besimtar ortodoks Dr Adamidi bej Frashëri i kushtoi gjithashtu një rëndësi të veçantë dëshmive të hershme të kristianizmit të mijëvjeçarit të parë, duke mbledhur manuskrite, ikona, enluminura të para dhe pas Skizmës së madhe të 1054. Qëllimi i këtij koleksioni ishte krijimi i një fondi « eklektik » që do të ilustronte historinë dhe kulturën shqiptare. Për këtë arsye, familja Adamidi Frashëri bleu edhe objekte porcelani, tablo apo skica nga autorë të huaj që trajtonin tematika shqiptare.

Në vitet 1920-1930, koleksioni do të zmadhohej nga djali i vetëm i Dr Gaqi Adamidi Frashërit, Paul Adamidi bej Frashëri (1904-1987), i cili ishte i apasionuar pas artit modern dhe bleu një sasi të konsiderueshme tablosh dhe vizatimesh të Pikasos, Braque, Fernand Léger, Juan Gris, Juan Miro etj, nga piktori dhe koleksionisti Gottlieb Reber.

 
adamidi-frasheri
adamidi-frasheri-3
adamidi-frasheri-2
 
adamidi-frasheri-1
adamidi-frasheri-4
royal_collection
 
Biblioteka e Familjes Mbretërore

Biblioteka e Familjes Mbreterore ka të skeduara 14 mijë libra, të cilët përbëjnë koleksionin më të madh të kësaj Familjeje. Në të gjenden libra të karakterit politik, shkencor, historik, si dhe një fond i pasur me letërsi artistike, sikundër romanet dhe librat me poezi. Në fondin e librave të kësaj biblioteke dominojnë dukshëm librat në gjuhën angleze, por në masë të konsiderueshme gjenden edhe libra në gjuhët: shqip, frëngjisht, spanjisht, italisht, etj..

Libri më me vlerë i këtij koleksioni me vlera të jashtëzakonshme, është dorëshkrimi origjinal i librit me kujtime në trajtë kronike dhe kronologjike i kolonel Hysen Selmanit, mbi jetën dhe aktivitetin e Mbretit Zog I.
 
biblioteka1
biblioteka
 
biblioteka2
objekte-historike-familjare
 
Kurora Mbretërore

Kurora martesore e Mbretëreshës Susan ishte një diademë prej diamantesh dhe safirësh të familjes, që u porosit nga Mbreti Leka dhe u dizajnua nga argjendari i oborrit të Familjes Perandorake Iraniane në fillim të viteve 1970.

Diadema në fillim u mbajt nga Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldine, në ditën e dasmës së djalit të saj, Mbretit Leka I dhe Mbretëreshës Susan në vitin 1975.

Ajo ka një dizajn unik, ku qendra e diademës përbëhet nga një set diamantesh që marrin formën e dhisë në përkrenaren e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Diadema gjithashtu mund të ndahet. Elementët e saj mund të përdoren të veçuar, si stoli të pavarura.

Një tjetër diademë historike, por që nuk i përket më Familjes Mbretërore, është Diadema prej diamanti e Mbretëreshës Geraldine, që u dizajnua nga Marianne Ostie e argjendarisë austriake “Oesterreicher Jewelers”. Diadema prej diamanti dhe platini u krijua në vitin 1938 me rastin e martesës së Mbretit Zog i Shqiptarëve dhe Mbretëreshës Geraldine. Duke përdorur afërsisht 28,05 karatë nga një diamant i vjetër europian me një prerje dhe 4,80 karatë diamante me prerje drejtkëndore, formohet një bazë e shkallëzuar lulesh, që përfundon në krye me diamante të stilizuara me formën e kokës së dhisë.
 
Royal-Tiara