Mbretëria

Shqipëria ishte një principatë jetëshkurtër gjatë kohës së Skënderbeut, në mes të viteve 1400, para se të binte nën sundimin e gjatë osman, që përfundoi në vitin 1912.

Shqipëria u bë sërish mbretëri mes viteve 1928-1939, e udhëhequr nga Madhëria Tij, Mbreti Zog I. Ai lindi nga bashkimi i dy familjeve fisnike shqiptare, familja Zogu nga rajoni i Matit në veri të Shqipërisë dhe familja Toptani nga Shqipëria e Mesme. Sipas traditës familjare dhe gojëdhënave, thuhet se të dyja familjet, Toptani dhe Zogu, rrjedhin nga Mamica, motra e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që udhëhoqi vendin në shekullin XV.

Mbreti Zog ishte një nga delegatët gjatë shpalljes së pavarësisë në vitin 1912. Ai ishte një ndër etërit themelues të shtetit modern shqiptar, ku shërbeu si Ministër i Punëve të Brendshme, Kryeministër dhe më pas si Presidenti i parë i Shqipërisë. Ai u shpall Mbret i Shqiptarëve nga Asambleja Kushtetuese e vitit 1928. Në atë kohë Shqipëria u shpall Mbretëri Kushtetuese Parlamentare, demokratike dhe e trashëgueshme.

Periudha e mbretërisë përshkruhet si një epokë e artë për liritë dhe zhvillimin e Shqipërisë. Stabiliteti politik dhe ekonomik solli një periudhë zhvillimi. U vendos një kod civil modern, që garantonte lirinë e shprehjes dhe tëtolerancën, duke hedhur themelet e shtetit modern shqiptar.

Spitalet e reja, rrugët dhe godinat e institucioneve sollën një rilindje në arkitekturën e Shqipërisë. Tirana u bë kryeqyteti dhe qendra e emancipimit kulturor. Respektoheshin të drejtat e barabarta për gratë, ndërsa mbulimi i fytyrës, që ishte imponuar nga perandoria osmane, u ndalua.

Mbreti Zog mbrojti dhe promovoi harmoninë mes besimeve kryesore në Shqipëri. Myslimanët bektashinj u ftuan në vitin 1925 të ngrinin selinë e tyre qendrore në Tiranë. Në vitin 1937, Kisha Ortodokse Shqiptare u njoh si autoqefale nga Patriarku i Kostandinopojës (Stambolli), ndërsa kisha katolike dhe myslimanët sunitë lulëzuan. Një shembull i përkryer i bashkëjetesës fetare reflektohet edhe në Familjen Mbretërore. Nëna Mbretëreshë SadijeToptani, ishte myslimane bektashi, Mbreti Zog ishte mysliman sunit, Mbretëresha Geraldine katolike,ndërsa Mbretëresha Susan anglikane. Princ Leka është mysliman, ndërsa Princesha Elia është ortodokse shqiptare.

Nëpërmjet urdhrit të Mbretit Zog, të gjitha familjet hebreje që përballeshin me persekutimin fetar të agresionit fashist dhe nazist u morën në mbrojtje dhe u strehuan gjatë viteve 1930. Falë edhe parimit të kodit të nderit të shqiptarëve, të quajtur “Besa”, asnjë hebre nuk u vra apo deportua në Shqipëri.

Në vitin 1938, Mbreti Zog u martua me Konteshën Geraldine Apponyi. Ajo më pas do të marrë titullin Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldine e Shqiptarëve. Mbretëresha Geraldine iu përkushtua plotësisht kombit të saj adoptues. Dashuria dhe sakrifica e saj për popullin shqiptar e bënë atë një mbretëreshë të mrekullueshme dhe shumë të pëlqyer.

Mbretëresha Geraldine lindi Princin Leka, trashëgimtarin e kurorës, më 5 prill 1939, vetëm dy ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Familja Mbretërore u shtrëngua të largohej në mërgim.

Gjatë gjithë jetës Mbreti Zog luftoi për çlirimin e Shqipërisë. Që në fillim, madhëria e tij kërkoi mbështetje në kryeqytetet e Europës kundër pushtimit të Musolinit, nazistëve dhe, më pas,komunistëve, të cilët vendosën regjimin e tyre pas marrëveshjes së Jaltës.

Pas vdekjes së Mbretit Zog ( 9 prill 1961), më 15 prill 1961 në hotel “Bristol” në Paris, Asambleja Kombëtare shpalli Princin Leka I, Mbret të Shqiptarëve. Ajo përbëhej nga përfaqësues të zgjedhur nga diaspora shqiptare dhe qeveria legjitime në mërgim.

Mbreti Leka pati një jetë të vështirë në mërgim. Në mes të Luftës së Ftohtë, ai punoi pa pushim për të rrëzuar diktaturën komuniste. Mbreti udhëtoi në të gjithë botën për të bashkuar diasporën shqiptare dhe për të themeluar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të Shqipërisë. Ai luftoi për çlirimin e Shqipërisë nga tirania komuniste. Brenda perdes së hekurt të Shqipërisë, përkrahësit e mbretërisë u persekutuan rreptësisht nga regjimi komunist. Mijëra u vranë, por megjithatë lëvizja zogiste mbijetoi edhe brenda kampeve të përqendrimit dhe jashtë vendit..

Në vitin 1975, Mbreti Leka martohet me australianen, Susan Cullen-Ward, e cila u bë Mbretëresha Susan e Shqiptarëve. Nga bashkimi i tyre, më 26 mars 1982 në Afrikën e Jugut , lindi Princi i Kurorës, Leka II.

Mbreti Leka u kthye për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993, ndonëse u detyrua të largohej brenda 24 orësh. Ai do të rikthehej në vitin 1997, për të zhvilluar një referendum për rikthimin e mbretërisë. Rezultati i referendumit mbetet një çështje debati edhe sot e kësaj dite.

Familja Mbretërore u ftua zyrtarisht në Shqipëri në vitin 2002 nga Parlamenti i Shqipërisë. Në vitin 2003, parlamenti dekretoi një ligj special në favor të Familjes Mbretërore (Ligji nr. 9063, 08/05/2003).

Pas ndarjes nga jeta të Mbretit Leka I (30 nëntor 2011), Princ Leka II bëhet kryetar i Familjes Mbretërore si trashëgimtari i vetëm i Kurorës së Shqipërisë.

Princi i Kurorës, Leka II, u martua me znj. EliaZaharia, më 8 tetor 2016. Pas martesës ajo mori titullin Princesha e Kurorës, Elia e Shqiptarëve. Çifti mbretëror jeton në Tiranë dhe janë shumë aktivë në promovimin e Shqipërisë dhe Kosovës në nivel ndërkombëtar. Paralelisht menaxhojnë Oborrin Mbretëror, si dhe punojnë dhe drejtojnë Fondacionin “Mbretëresha Geraldine”. Princi dhe Princesha janë ruajtës të trashëgimisë mbretërore. Ata janë diplomatikisht shumë aktivë dhe mbajnë një pozicionim të balancuar në politikën kombëtare të Shqipërisë si simbol i unitetit të shqiptarëve.

Princ Leka ka punuar si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Zyrën e Presidentit të Shqipërisë. Princesha Elia vazhdon të punojë në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.

The Royal Couple continue to serve their nation with much devotion.

40 Datat historike të familjes Mbretërore dhe Mbretit Zog

Preloader